Secondary Adv

BSH mban të pandryshuar normën bazë në 2.5 për qind, paralajmëron rritje të interesave

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5 për qind.

Megjithatë, rritja e presioneve inflacioniste dhe pasiguritë në ekonominë ndërkombëtare kanë shtuar mundësinë e një shtrëngimi të politikës monetare në të ardhmen.


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës se inflacioni pritet të rritet më tej gjatë dy tremujorëve në vijim. Sipas tij, kjo rritje do të jetë e moderuar dhe e përkohshme, ndërsa nga mesi i vitit 2027 inflacioni parashikohet të nisë një rënie graduale drejt objektivit të Bankës së Shqipërisë.


Sejko theksoi se rritja e inflacionit gjatë muajve korrik dhe gusht ishte disi më e shpejtë nga sa kishte parashikuar Banka e Shqipërisë, kryesisht për shkak të shtrenjtimit të karburanteve dhe ushqimeve të papërpunuara. Ndërkohë, inflacioni i shërbimeve dhe ai i qirave shënuan rënie.


“Rritja e inflacionit në muajt korrik – gusht ishte disi më e shpejtë se pritjet tona. Nga këndvështrimi i strukturës së shportës, rritja e inflacionit u ndikua nga rritja e çmimeve të karburantit dhe të ushqimeve të papërpunuara. Nga ana tjetër, inflacioni i artikujve të shërbimeve dhe ai i qirave shënoi rënie. Në aspektin makroekonomik, ecuria e inflacionit pasqyroi rritjen e presioneve të huaja”, deklaroi Sejko.


Çmimet e importit dhe pagat shtojnë presionet inflacioniste

Sipas Guvernatorit, rritja e shpejtë e çmimeve të produkteve bazë në tregjet ndërkombëtare dhe inflacioni më i lartë te partnerët tregtarë të Shqipërisë nuk janë kompensuar plotësisht nga forcimi i kursit të këmbimit. Për pasojë, inflacioni i importuar është rritur.


Nga ana tjetër, inflacioni bazë dhe ai i brendshëm kanë shënuar rënie, kryesisht si rezultat i ngadalësimit të rritjes së qirave. Kjo ecuri, sipas Bankës së Shqipërisë, pasqyron një balancim më të mirë të kërkesës dhe ofertës në tregun e qirave afatgjata.


Megjithatë, presionet e brendshme dhe afatmesme mbi çmimet mbeten të ndikuara nga mungesa e fuqisë punëtore dhe rritja e shpejtë e pagave. Banka e Shqipërisë vlerëson se këta faktorë mund të mbajnë të larta presionet inflacioniste edhe në periudhën në vijim.


Parashikimi për një rritje të përkohshme të inflacionit mbështetet në pritshmërinë që goditjet e ofertës në tregjet ndërkombëtare të jenë të kufizuara dhe afatshkurtra, si dhe në një ecuri më të balancuar të kërkesës dhe ofertës në ekonominë shqiptare.


Tensionet në Lindjen e Mesme, rrezik për inflacionin dhe ekonominë

Banka e Shqipërisë evidenton tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme si një nga burimet kryesore të pasigurisë për perspektivën ekonomike.


“Megjithatë, tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme mbeten një burim rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare. Ndikimi i këtij konflikti në tregjet ndërkombëtare e mban balancën e rreziqeve të zhvendosur në kahun e sipërm për inflacionin dhe në kahun e poshtëm për rritjen ekonomike në afatin e mesëm”, theksoi Sejko.


Guvernatori shtoi se ecuria e tregut të punës dhe e pagave në Shqipëri tregon se ekonomia vijon të përballet me mungesa të ofertës së punës, të cilat përbëjnë një tjetër rrezik për rritjen e inflacionit.


Banka e Shqipërisë sinjalizon mundësinë e shtrëngimit të politikës monetare

Pavarësisht këtyre rreziqeve, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se niveli aktual i normës bazë të interesit mbetet i përshtatshëm për kushtet ekonomike.


Sipas Sejkos, qëndrimi aktual i politikës monetare krijon kushte të favorshme për kthimin e inflacionit në objektiv, duke marrë parasysh edhe pasiguritë për ecurinë e ekonomisë, ndikimin frenues të konsolidimit fiskal dhe forcimin e kursit të këmbimit.


Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës thekson se rritja e presioneve inflacioniste dhe prania e rreziqeve që mund ta çojnë inflacionin mbi parashikimet forcojnë mundësinë e një reagimi shtrëngues të politikës monetare në të ardhmen.


Kjo nënkupton se një rritje e normës bazë të interesit mund të bëhet më e mundshme, në varësi të të dhënave të reja për inflacionin dhe zhvillimet ekonomike. Vendimet e ardhshme do të kushtëzohen nga balanca e përgjithshme e presioneve inflacioniste, drejtimi i politikës fiskale dhe ecuria e kursit të këmbimit.


Rritja ekonomike pritet të jetë më e lartë se parashikimet e mëparshme

Banka e Shqipërisë ka përmirësuar ndërkohë pritshmëritë për ecurinë e ekonomisë shqiptare. Sipas vlerësimeve të fundit, ritmi i rritjes ekonomike pritet të jetë disi më i lartë se parashikimet e mëparshme, duke krijuar njëkohësisht kushte për një balancim më të mirë të kërkesës dhe ofertës agregate.


Guvernatori Sejko theksoi se aktiviteti ekonomik do të vijojë të mbështetet nga gjendja e mirë e likuiditetit të sektorit privat, kushtet e favorshme financiare dhe pritshmëritë pozitive për të ardhmen.


Kjo ecuri pritet të reflektohet edhe në rritjen e punësimit dhe të pagave, ndërsa Banka e Shqipërisë do të vijojë të monitorojë ndikimin e këtyre zhvillimeve mbi inflacionin dhe nevojën për ndryshime të mundshme të politikës monetare.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat